Jo në emër të pronarëve!

Nga Marsida T. Najdeni
17 mars 2022

Përpara se të shkruaj këtë mendim që më bluan prej kohësh, e shoh dëshpëruese se lexuesit shqiptarë, këtyre qënieve anti demokratike, i duhet shpjeguar shkurt se çfarë kuptohet me pronarë dhe pronësi. Akoma më keq që i duhet shpjeguar kuptimi i termit (fjalës) “ligjor”.

PRONËSIA
është gjendja ose fakti i posedimit dhe kontrollit ligjor mbi pasurinë, që mund të jetë i prekshëm ose i paprekshëm. Pronësia mund të përfshijë të drejta të shumta, të referuara kolektivisht si titull tapi, të cilat mund të ndahen dhe mbahen nga individët.

PRONARI TOKËS
Pasuritë e paluajtshme janë një term ligjor (në disa juridiksione) që përfshin tokën së bashku me çdo gjë të ngjitur përgjithmonë në tokë. Pasuria me anë të një toke shpesh konsiderohet sinonim i pronës së paluajtshme. Disa njerëz preferojnë të dallojnë pronat e paluajtshme, duke iu referuar vetë tokës dhe objekteve.

LIGJOR
Fjalori i Kembrixhit jep këtë shpjegim për ligjoren: lejohet nga ligji, pranohet nga ligji.

Shembuj korrekt për të shpjeguar termin e kuptimit “ligjor“:
a) fëmi të lindur nga prindër me dokumenta, marrin ligjërisht dokumentat.
b) shtete e mëdha emigrantët e ligjshëm i duan për të rritur fuqinë e punës.

Shembuj korrekt për të shpjeguar termin e kuptimit “jo ligjor“:
a) prindërit e mi i dhanë filanit 20 milionë euro tek kafja dhe u bënë pronarë toke.
b) unë e shkarkova filmin online dhe e pashë pa paguar asnjë lek.

SI TRASHËGOHET A BLIHET NJË PRONË?
Pronari legjitim i tokës është ai që tapinë e ka o të trashëguar ose e ka blerë me rrugë ligjore. Si trashëgohet tapia? Prindërit, gjyshërit, apo stërgjyshërit etj kanë lënë një pronë ligjore me emrin e tyre ku trashigimtarë janë pinjollët. Kjo pronë mund të jetë lënë para 50 vjetëve apo para 500 vjetëve, për aq kohë sa nuk ka akt shitje ligjor u mbetet pronarëve ligjor. Si blihet një pronë tokë në mënyrë ligjore? Blerësi në bazë të një shume të caktuar blenë një masë toke nga pronari ligjor duke firmosur dokumentat e kalimit të pronësisë përpara një noteri ligjor dhe ky dokument kalim pronësie me anë të aktit të shitjes rregjistrohet në kadastrën shtetërore nga ku del dhe tapia e re e asaj pjese toke me emrin e pronarit ligjor të ri. Si merret një pronë tokë në mënyrë jo ligjore? Sali Berisha ma ka falur tokën. Edi Rama ma ka falur tokën. Zbritëm këtu bashk me disa kushëri duke gjuajtur me kallash, e pëlqyem, e rrethuam, u bë e jona. Unë votoj djathtas prandaj këtë tokë e kam blerë me votë. Une votoj majtas prandaj ma ka blerë partia këtë tokë. Unë e bleva me rryshfetë tek filani. E pagova dorazi por s’më dha asnjë dokument vërtetimi. Mu paraqit si pronari, unë e bleva me mirbesim, po s’kam as një akt shitje të noterizuar. E bleva pa asnjë dëshmitarë dhe pa noter prezent, nuk firmosa gjëkundi. Kam akt shitjen e noterizuar, por kadastra nuk e njeh shitësin si pronar ligjor. Asnjë hallishverishe e këtillë, sado me njetin e mirë tuajin, nuk ju bënë pronarë ligjor, përveçse zaptues dhe hajdutë të pronës ligjore të pronarit ligjor.


TOKA IME S'KISHTE PRONARË ISHTE TOKË SHTETËRORE!
Ky konfirmim që e lexoj dhe dëgjoj shpesh s’bënë asgjë tjetër përveçse vërteton aktin e vjedhjes, aktin e hajdutërisë, një akt që s’të bënë pronarë. Nuk ia vodhe individitit, por shtetit shqiptarë. Po vjedhje mbetet. Po harrojmë krimin e vjedhjes së pronës së palujtshme, që në Amërikë merr dënime me burg 5 deri 24 vite po t’i vjedhësh dikujt apo shtetit pronën, e harruam krimin e vjedhjes. Po për krimin ekologjik që i bëtë natyrës? Ndërtuat pa asnjë kriter, duke prishur mijra hektarë me toka pjellore e pemë frutore dhe perimesh? Në Amerikë një pemë të presësh në mënyrë jo të ligjshme dënohesh deri 1 vit burgim, një pemë. Sa miliona pemë pretë ju? A ka burg që ju merr përsipër?


KU HUMBI BESA E SHQIPTARIT?
Plumbat e kallashëve tuaj ato vitet e para të tranzicionit teksa si ushtri paramilitare zaptonit tokat e vetfalura për ju, por të zaptuara për ne, jo si kemi harruar ende. Në këto 20-30 vite, a morët mundimin një herë të arrinit një kompromis me pronarin ligjor? Pa gjygje, pa shantazhe, por një zgjidhje me drejtësinë se ka një Zot lart, e haku huaj nuk ngjit. A menduat ndonjëherë se dhe këta pronarë ligjorë, të cilëve ua gëzoni pasurinë prej dekadash; dikur, diktatori, Enver Hoxha i kishte vrarë e burgosur? I kishte shpronësuar me dhunë e jo ligjërisht. Jo nuk i menduat! I kishte rrëmbyer nga shtëpiat e tyre dhe pinjollët ende presin drejtësinë e pronës dhe të jetëve të humbura. Kanë 30 vite me dosjet e tapiave duke u përplasur në dyert e gjykatave teksa ju jetoni mbi pasurinë e tyre. Ndërtuat vila në hakun e tjetrit, teksa pronari ligjor jeton me qira. Mos më keq, shkuat shitët tokat e vjedhura me hallishverishe dhe morët më qafë dhe një dorë të tretë. E megjithatë, e prap ata, pronarët ligjor, besën e thyher prej jush kanë aq njerëzillëk dhe përpiqen t’ju kuptojnë. Shqipëria vinte nga çmenduria 50 vjeçare komuniste. Njerëzit ishin të varfër, s’kishin bukë me ngrënë. Familje të rrënuara, e të vojtura nën diktaturë. Ju ndjejmë dhe ju kuptojmë kur thoni “nga e keqja e bëmë!” Ama… ashtu në të njëjtat rrethana ishin dhe pronarët ligjor, por nuk vodhën një cantim tokë. Nuk dhunuan! Patën besim tek drejtësia ligjore, një naivitet që e paguajnë ende shtrenjt sot e kësaj dite. Ndërsa ju në toka të vjedhura guxoni e mbani parrulla “prona jonë”.


JO NË EMËR TË PRONARËVE!
Lajmet e këtyre javëve kanë qenë tronditëse. Njerëz të dhunuar nga policia duke i nxjerrë nga banesat me dhunë. Pamje alarmante, dhembje shpirtërore, vuajtie mbi vuajtie. Skena që nuk ia uron njeriu hasmit, jo më shqiptari shqiptarit. Fëmi krejt të pafajshëm, të lindur në një qytet të tjetërsuar. Një qytet që iu vra ADN-ja, por di t’i vrasë dhe të ardhmen fëmive. Mos harroni, se me dhunë nuk iu nxorrën pronarët, por ata që ua falën me aspi (gjasme) pronën me votën e blerë. Nga banesat ju nxorri shteti dhe jo pronari. Ju nxorri ai shtet që si fillim ju la të zaptonit, edhe po ai shtet që ju rrejti me idera legalizimesh, ose ju a legalizoi në mënyrë anti kushtetuese, po ai shtet po ju nxjerr tani me dhunë. Dhuna karshi jush javët e fundit nuk bëhet kurrësesi në emër të pronarëve ligjor. Dhuna karshi jush bëhet që të pasurohen oligarkët e shtetit. Inatin tuaj mos e shfryni tek pronari, por shumë mirë me një kauzë të drejtë mund t’i bashkoheshit pronarit legjitim. Bashkimi bënë fuqi! Por… jo, ju ende pretendoni në kurriz të pronarit ligjor, paçka se gjithë kjo zhurmë e luftë nuk bëhet në emër të pronarit ligjor. Pronari ligjor do t’vazhdoi me dosjet në duar dyerve të gjykatave duke pritur shtetin e drejtësisë së munguar. Nëqoftëse këto ditë tu ka shembur shtëpia nga shteti dhe ti je pronar ligjor simbas konceptit “si trashëgohet a blihet një pronë” (lexo më lart), atëhere përgatitu të mësohesh me dyert e gjykatave. Ke gjithë mbështetjen tonë. Por për aq kohë sa pretendoni se do t’ju bëi Berisha e Rama pronarë ligjor, ju mbeteni pjesë madhore e problemit të pronës ligjore mbi tokën, mbeteni po zaptues.


SHTETI I SË DREJTËS!
Shteti i së drejtës di të kuptoi gabimet e së shkuarës. Momentin që i zbardh dhe i kupton këto gabime përpiqet mos t’i përsëris më dhe t’i ndreq ato në mënyrën më të dëshirueshme për të gjitha palët. Shteti i së drejtës nuk të nxjerr zvarrë prej banese pa gjetur zgjidhjen. Shteti i së drejtës nuk bënë plane urbanistike pa shpërblyer pronarin ligjor. Shqipëria nuk është shteti i së drejtës sepse dhe nqse ligjet egzistojnë s’kemi shtet, popull e shoqëri t’i zbatojë.
Para se t’i nxirrnit ata banorë prej banesave, a i kishit njoftuar më parë? A kishit kryer minimumin sikur dhe një seancë gjygjsore? A i dhatë mundësi të nxirrnin sendet private e personale? Pasurinë e tyre brenda banesave kush ua jep të drejtën ta shembni? Po godinat me ç’të drejtë i shembët? Çdo kryefamiljarë i çdo godine duhet të dilte një herë në proçes gjygjsorë. I dhatë kohën e vetmbrojties legjitime? Shteti i jurisprudencës dhe jo i skavatorit. A i keni gjetur sistemim? Ku do jetojnë këta njerëz në rrugë? A i dëmshpërblyhet për lekët e shpenzuara për ndërtimin e banesave? Po për sendet e kujtimet e përdhosura si do t’i shpërbleni? Ç’dreq planesh janë këto që fillojnë nga Zh dhe jo nga A? Ju pa patur mënyrë sistemimi për ta, pa i siguruar të drejtat e tyre njerëzore dhe civile, shkoni e shembni e dhunoni? Ky shtet është shteti diktaturës. Një shtet i së drejtës bënë planin, vendos se ku do shkojnë këta mijëra banorë, u jep një zgjidhje ligjore dhe njerëzore duke qenë se janë viktima të shtetit, plus i dëmshpërblen për shembjen e godinës. Po ashtu, shteti i së drejtës njeh pronarët ligjor të tokës. U jep dëmshpërblim pronarëve ligjor për 7 a më tepër dekada që s’kanë shfrytëzuar dot pronën. Pastaj këtë pronë ua blenë me çmim tregu për projektet urbane. Kur t’i kishit kryer të gjitha këto mund të mendonit për zbatim plani. Kështu ju s’do të veproni kurrë, sepse ju levërdis t’i shikoni shqiptarët në sherr me njëri tjetrin teksa ju lulëzoni me aferet tuaja. Ju levërdis t’i shikoni shqiptarët në luftë për mbijetesë, sepse kështu s’do t’ngrenë kokën e s’do t’kenë kohën të shohin mafiozllëqet tuaja. Ndërkohë një brez i ri krejt i pafajshëm tashmë do t’rritet përsëri me urrejtie për shtetin shqiptar, shtetin e dhunës e jo shtetin e së drejtës, që s’diti të falë kurrë as dashuri, as humanizëm.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: